Melinda Ademi, njohur si Melinda ka lindur më 19 Nëntor 1995 në Mitrovicë, Kosovë. Ajo është këngëtare dhe autore e njohur këngësh. Ka befasuar jo vetëm jurinë e spektaklit të famshëm televiziv ‘American Idol’ por edhe mbarë shikuesit, jo vetëm për zërin e saj të mrekullueshëm, por edhe për historinë që bart. 16-vjeçarja nga Mitrovica Melinda Ademi, ka rrëfyer historinë e saj që kur familja vendosi të largohej nga Kosova, gjatë luftës e deri tek ëndrrat për t’u bërë një këngëtare e madhe. Në videon e shfaqur nga ‘Fox TV’, Melinda tregon për momentet e largimit të saj nga Kosova ndërsa ishte mjaft e vogël, megjithëse mban mend shumë mirë të shtënat. Ndërsa nëna e saj, nuk i mban dot lotët kur kthehet pas në kujtime duke treguar se ishte mjaft e vështirë të lije pas gjithçka. ‘Por si mund të rrisësh fëmijët në mes të luftës’- thotë ajo. Fitues të llotarisë amerikane, Melinda bashkë me prindërit, dy motrat dhe vëllain, e nisën jetën nga e para duke nisur kështu ëndrrën e tyre amerikane dhe duke bërë Amerikën shtëpinë e tyre. Megjithëse ishte e vështirë, ata ia dolën mbanë. E tani, Melinda është një prej konkurrenteve që spikat në ‘American Idol’, dhe që la pa fjalë anëtarët e jurisë Steven Tyler dhe Jeniffer Lopez ndërsa e pyetën me kuriozitet se nga vjen emri i saj i veçantë. “Nuk është e mundur të ketë një yll të tillë nga Kosova, por ja se e vërteta është se një yll qëndron para syve të mi’- ka thënë Steven Tyler. Pasi ajo këndoi këngën e saj, juria i uroi mirëseardhje në Hollywood me duartrokitje dhe buzëqeshje.
Melinda Ademi është duke i shijuar sukseset e para në skenën muzikore shqiptare falë disa këngëve, të cilat janë pëlqyer shumë nga fansat e saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja ka rrëfyer se dashuria e saj për muzikën është e madhe dhe se nuk është dorëzuar kurrë. “Gjatë gjithë jetës e kam dashur muzikën. Kur isha 16 vjeçare shkova në ‘American Idol’, nuk fitova dhe shkova sërish pas dy vitesh dhe arrita në gjysmëfinale. Nuk e fitova çmimin, por nuk hoqa dorë. U ktheva në vendlindjen time që ta bëja muzikën, të cilën e ndjej. U rrëzova në skenë dhe u çova prapë, dhe u përballa me vështirësitë. Jam krenare me veten dhe është një fakt se asnjëherë nuk duhet dorëzuar”, ka shkruar Melinda në një postim në Instagram”